Këshilli Rajonal i Venetos, kundër sanksioneve antiruse

19/05/2016 00:00

Më 18 maj 2016 Këshilli Rajonal i Venetos miratoi një rezolutë, duke i bërë thirrje qeverisë italiane që të dënojë, sipas tyre, politikën diskriminuese e të padrejtë të BE-së ndaj Krimesë, të kërkojë heqjen e sanksioneve antiruse dhe të njohë rezultatet e referendumit për ribashkimin e Krimesë me Rusinë. Rezoluta mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit.

Sipas deputetëve, sanksionet e Brukselit të vendosura ndaj Rusisë dëmtojnë ekonominë e Venetos dhe mund të sjellin pasoja shumë negative të pakthyeshme. Rezoluta thotë se humbjet e rajoneve të Venetos, Lombardisë dhe Emilia Romanjas nga ndalimi i tregtisë me Rusinë përbëjnë 72% të uljes totale të eksporteve italiane drejt këtij vendi. Siç tregojnë të dhënat statistike, vetëm vitin e kaluar rajoni i Venetos ka humbur më shumë se 600 mln euro.

Për çështjen e Krimesë, në opinionin e autorëve të rezolutës, autoritetet italiane dhe BE-ja përdorin standarde të dyfishta dhe “injorojnë totalisht vullnetin pothuajse unanim të popullit dhe parlamentit të Krimesë, si dhe faktorët historikë dhe kulturorë që përcaktuan vendimin e marrë”.

Tani që rezoluta është miratuar, kryetari i Këshillit Rajonal të Venetos, Roberto Ciambetti, dhe governatori i Venetos, Lucca Zaia, do të negociojnë me qeverinë dhe parlamentin italian, si dhe me institucionet e BE-së, për të rishikuar politikën ndaj Rusisë.

Top Channel