Edicioni i pestë i “Different Trains”

17/05/2016 00:00

“Different Trains” nis mbrëmjen e 17 majit në Universitetin e Arteve, për të sjellë edhe këtë vit muzikë klasike të zgjedhur nga Mozart, Bethoven e kompozitorë të tjerë të njohur botërorë.

5 vite më parë, sipas Vlorent Xhafajt, “Different Trains” nisi në një mjedis shqiptar, ku muzika klasike kishte detyrën që të tërhiqte vëmendjen e publikut drejt saj. Sot, thotë violinisti, ky mision është përmbushur.
 
“Jam shumë i lumtur që arriti dita të mblidhemi midis miqsh dhe që secili të ketë mundësinë të shprehet në skenë. Muzika klasike kishte nevojë që të kishte një shtysë ekstra për të sjellë publikun në skenë, ndërsa tashmë jo”, shpjegon Xhafaj.

Fation Hoxholli u largua nga Shqipëria në vitin 2003 për të qenë pjesë e formacionit të orkestrës së Torinos. Violinisti rikthehet pas 13 vitesh në Tiranë.

“Është një event i rëndësishëm për të gjithë muzikantët. Shkëmbejmë eksperiencë dhe është i rëndësishëm edhe për publikun”, shprehet Hoxholli.

Ky edicion i pestë i festivalit do të ngjisë në skenë edhe artistët Joel Blido, Marin Gjollma, Hidenburg Leka, Admir Doçi e të tjerë, të cilët do të interpretojnë muzikë të mirë në Tiranë deri në datën 26 maj.

Top Channel