“Eurovision”, krimeanja Jamala triumfon

15/05/2016 00:00

Këngëtarja Jamala nga Krimea por përfaqësuese e Ukrainës është fituese e Festivalit Europian të Këngës, “Eurovision” të këtij viti, pas natës finale të zhvilluar në Stokholm të Suedisë. Kënga e saj “1944” siguroi 534 pikë, teksa i dedikohej deportimit të tatarëve krimeanë nën regjimin e Stalinit.

Australia përfundoi në vendin e dytë me 511 pikë, ndërsa Rusia vetëm në vendin e tretë, me 491 pikë, edhe pse ishte pretendentja kryesore për ta fituar garën.

Jamala është e para shtetase e etnisë tatare nga Krimea, që performonte në një festival të tillë, ndaj dhe shkaktoi pakënaqësira përpara shfaqjes finale për shkak se kënga e saj cilësohej si “politike”. Kjo sepse kënga i referohej vitit kur Stalini deportoi thuajse të gjithë grupin etnik nga rajoni i tyre ku kishin lindur, Krimea, në atë kohë pjesë e Bashkimit Sovjetik, ndërsa më pas u bë pjesë e Ukrainës, deri para pak vitesh kur Putin e rimori sërish nën pushtetin e Kremlinit. Deportimi i tyre ishte një lloj dënimi kolektiv, pasi një pjesë e tatarëve kishin bashkëpunuar gjatë pushtimit nazist me gjermanët.

Pas marrjes së çmimit, Jamala mes emocionesh ka falënderuar Europën për votat që i dhanë këngës së saj, teksa shtoi se “në fakt ajo kërkon paqe dhe dashuri për të gjithë”. “Është fantastike. E dija se po të flisje për të vërtetën, ajo i prek thellë ndjenjat e njerëzve”, tha Jamala.

Shqipëria nuk mundi të hynte në natën finale, teksa nuk siguroi votat e mjaftueshme për këngën “Përralla” të interpretuar nga Eneda Tarifa, edhe pse mori lavdërime për vokalin e saj. Megjithatë, sistemi i ri i votimit, që u prezantua për herë të parë këtë vit duke dhënë vlerësime të ndara nga juritë dhe publiku i secilit vend, ndryshe nga vitet e kaluara kur jepej një vlerësim i përbashkët, nënvizoi sërish pabarazinë mes preferencave të jurive dhe të publikut.

Top Channel