Mustafa: Do rishohim formatin e bisedimeve me Serbinë

11/05/2016 00:00

Kosova do të rishikojë formatin e bisedimeve me Serbinë. Kryeministri Isa Mustafa tha për Zërin e Amerikës se shkak për këtë është bërë qëndrimi i Beogradit ndaj Prishtinës.

Do ta rishikojmë edhe njëherë formatin. Për mua është me rëndësi që të kemi sa më shumë përfshirje të të gjitha institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës edhe të presidencës edhe të parlamentit, por edhe shoqërisë civile në këtë proces. Të shohim mënyrën se si të përfshijmë parlamentin më shumë edhe në fazën përgatitore por edhe pasi që të kthehemi nga faza të ndryshme të dialogut në Bruksel, në mënyrë që pastaj vendimet që i marrim aty të jenë të pranueshme edhe për deputetët edhe për qytetarët”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri i Kosovës akuzoi Beogradin se nuk po u qëndron zotimeve të shprehura në bisedime për të mos penguar procesin euro-integrues të Prishtinës.

“Bllokojnë të gjitha proceset për të cilat janë zotuar, sepse me marrëveshjen e parë, Serbia është zotuar se nuk do ta pengojë Kosovën dhe as Kosova Serbinë në proceset e integrimeve europiane. Tani ne kishim një proces shumë konkret të anëtarësimit tonë në UEFA, që është një asociacion evropian i futbollit dhe në të cilin Serbia bëri çdo gjë që të na pengojë dhe për pak nuk ja arriti”, tha ai.

Top Channel