Manjani dhe Veliaj shpërndajnë hipotekat për 1352 apartamente

03/05/2016 13:50

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj kanë shpërndarë hipotekat për 1352 apartamente, pjesë e pallateve që kanë pasur probleme me regjistrimin në ZRPP.

Ministri Manjani u shpreh se udhëzimi i miratuar në qeveri shmang mundësinë që një pronë të shitet më shumë se një personi dhe gjithashtu i kalon barrën e përgatitjes së dokumentacionit institucioneve shtetërore.  

“Lajmi i mirë nuk është udhëzimi, lajmi i mirë është rezultati dhe rezultati është që sot ne fillojmë me 20 pallatet e para për 1352 familje në Tiranë. 14 pallate të cilat janë sot me një vlerë rreth 140 milionë euro, siç i kemi llogaritur, të cilat sot marrin vlerë në treg”, tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Ai theksoi gjithashtu se pavarësisht vështirësive dhe pro që hasen në teren nga abuzimet e shumta që kanë bërë ndërtuesit, Bashkia e Tiranës është e vendosur që të përballet me këtë problem dhe t’i japë qytetarëve mundësinë që t’i japin vlerë pronës së tyre.

Këto janë apartamentet e 14 pallateve të para, ndërkohë që në total llogariten që në gjithë Tiranën janë rreth 300 pallate me mbi 20 mijë apartamente të pahipotekuara.

Top Channel