Kontrolle në lokalet e natës në Durrës, shoqërohen 12 balerina

23/04/2016 00:00

Policia e Durrësit, mesnatën e djeshme e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ngritur pika kontrolli në akset rrugore kryesore dhe dytësore si edhe janë ushtruar kontrolle në lokalet e natës me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Si rezultat, u shoqëruan gjithsej 34 shtetas, 12 prej tyre balerina. Njëra nga shtetaset e shoqëruara, frekuentuese në një lokal nate, ishte e mitur. Gjatë verifikimeve, rezultoi se një nga balerinat e shoqëruara, shtetësja A.T., 24 vjeç, banuese në Krujë, ishte shpallur në kërkim, pasi ishte larguar nga banesa. 

Gjithashtu, u evidentua që dy lokale kishin përshtatur ambientet për përdorim të lëndëve narkotike, ku në njërin prej tyre u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi kokaine.

Ndërkohë, nga Inspektorët e Institucionit Shtetëror Shëndetësor u vendosën masa administrative për kosumim të duhanit në ambientet publike.

Kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ku Drejtoria Vendore e Policisë Durrës kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim parandalimin e fenomeneve të jashtëligjshme, me qëllim ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

Top Channel