Benetton ndihmon artin shqiptar

23/04/2016 00:00

I dashuruar më ngjyrat. Duke bërë bashkë artin pamor, industrinë e modës dhe biznesit, Luciano Benetton e dëshmoi edhe njëherë këtë nëpërmjet projektit “Imago Mundi”.

Falë tij, Shqipëria përfaqësohet në botë me një koleksion të plotë të artit pamor. Janë 163 artistë shqiptarë, emra të shquar dhe një numër artistësh të rinj, që kanë zgjedhur të japin së bashku një portret kreativ të vendit.

Për këtë, Beneton është nderuar nga Universiteti i Arteve me “Doctor Honoris Causa”.

“Është hera e parë që unë marr një titull nderi kaq të rëndësishëm për projektin ‘Imago Mundi’, kështu që jam shumë i kënaqur. Është e bukur kjo që po bëj, por është edhe më bukur kur e kuptoj që po njihet dhe po vlerësohet”, deklaroi Luciano Benetton, themelues i ndërmarrjes “Benetton”,

Beneton është i njohur për mbështetjen dhe promovimin e artit pamor, jo vetëm nëpërmjet revistës “Colors”, por edhe nëpërmjet projekteve të herëpashershme.

“Ngjyrat i përkasin historisë së ndërmarrjes së modës. Që i ri kuptova që ngjyrat të bënin të ndiheshe edhe më i ri, më i pasur nëse kishe një ngjyrë më të bukur dhe të fortë. Donin të ishim sjellësit e ideve të duhura për të rinjtë dhe të ishin ata që vendosin ngjyrat që ne do të prodhonim”, vijoi Benetton.

“Imago Mundi” do të fillojë menjëherë rrugëtimin ndër ekspozitat më të rëndësishme si Bienalja e Venecias, Bienalja e Marakeshit, si dhe Galeritë më prestigjioze botërore si Noma dhe Nju Orleans.

Top Channel