Zgjedhjet në Serbi, OSBE do të hapë 5 qendra në Kosovë

22/04/2016 00:00

Misioni i OSBE-së në Kosovë sqaron rolin që do te ketë gjatë votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e Serbisë këtë të diel.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, OSBE bën të ditur se më 24 prill do të hapë pesë qendra me degë përkatëse nëpër Kosovë, dhe stafi i OSBE-së do të jetë prezent në secilën prej tyre. OSBE ka bërë organizimet për shpërndarjen e duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim e zonave ku gjenden personat me të drejtë vote.

“Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e operacioneve të mëparshme, në veçanti atë të vitit 2014. OSBE do të jetë  transportuesi i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm që do të përdoret në këtë proces. Materiali si fletëvotimet dhe listat e votuesve i janë dorëzuar OSBE-së nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë (KZR)”, thuhet në deklaratën e misionit në Prishtinë. Pas përfundimit të procesit, OSBE do t’i transportoje votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë  të Serbisë dhe do t’ia dorëzojë ato KZR-së për numërim.

Ky organizim ka marrë dritën jeshile edhe nga qeveria e Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i lejojnë serbët të votojnë edhe pse ata po manipulohen për vota. Mustafa ka dënuar edhe tonet nacionaliste kundër shtetësisë së Kosovës gjatë fushatës së politikanëve serbë në territorin e Kosovës.

Top Channel