Kosovë, shënohet dita e komunitetit turk. I ftuar edhe zv.kryeministri i Turqisë

22/04/2016 00:00

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmush po qëndron për një vizitë në Kosovë me rastin e shënimit të ditës së komunitetit turk.

Numri dy i qeverisë turke është pritur në takim nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa. Në takimet me krerët e Kosovës, Kurtulmush konfirmoi përkrahjen e Turqisë për Kosovën, përmes projekteve konkrete dhe lobimit për njohje.

Delegacioni turk është pritur edhe nga kryeministri Isa Mustafa, ndërsa për të shënuar 23 prillin, Qeveria e Kosovës organizoi një ditë më herët konferencën ceremoniale.

“Historia e komunitetit turk në Kosovë, bashkëjetesa me shqiptarët dhe me të tjerët, ndarja e së mirës dhe së keqes, dikur dhe sot, me të gjithë në Kosovë, e bënë të tepërt të thuhet – aq më pak të nënvizohet – se komuniteti turk e konsideron Kosovën vendin dhe atdheun e tyre”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili vjen nga radhët e komunitetit turk, tha se, vetëm puna e përbashkët e çon vendin përpara.

“Ne jemi të vetëdijshëm, që Kosova është shtet i ri dhe para vetes ka shumë sfida, sidomos ekonomike dhe politike, sfida të brendshme dhe të jashtme. Por duke punuar të gjithë së bashku, pavarësisht bindjeve politike, fetare dhe gjinore, mendoj se mund t’i tejkalojmë këto sfida dhe të ndërtojmë shtetin, që do të jetë çdo ditë e më afër BE-së”, tha Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike.

Pas shpalljes së Pavarësisë, 23 prilli është caktuar si Dita e Komunitetit Turk dhe në ligjin për festat zyrtare është shënuar si ditë e shënuar. Në Kosovë jetojnë rreth 18.738 banorë, të regjistruar si pjesëtarë të komunitetit turk në censusin e vitit 2011.

Top Channel