Fillon “PriFilmFest”, i rikthyer në Prishtinë

22/04/2016 00:00

Filmi “Mediterranea”, që trajton sfidat e emigrantëve afrikanë në drejtim të Europës, ka hapur edicionin e 8 të Festivalit ndërkombëtar të Filmit “PriFilmFest” mbrëmjen e së  premtes.

“PriFilmFest” është rikthyer në Prishtinë, pas një edicioni të zhvilluar në Tiranë, në shenjë proteste për përgjysmimin e fondeve nga Ministria e Kulturës.

Për një javë, sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen mbi 70 filma, kësaj radhe edhe në kinema të improvizuar nën qiell të hapur, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Këtë herë kemi vendosur që fokusin ta vendosim këtu dhe kjo na gëzon shumë, sepse po shihet kënaqësia e publikut dhe audiencës, që festivali po ndodh në qendër dhe është i hapur”, tha Vjosa Berisha, drejtoreshë e “PriFilmFest”.

Vlerësimi i filmave garues do të bëhet nga 6 juri të kategorive të ndryshme.

“Këtë vit mora ftesën si anëtare e jurisë mes gazetarëve të tjerë profesionistë, emra të mirë sa jam informuar nga Prishtina. Jam shumë e kënaqur edhe për filmat, duke qenë se gjatë punës kemi mungesa dhe kam dëshirë të ulem në kinema dhe t’i shikoj të gjithë”, tha Bieta Sulo, anëtare e jurisë së medieve.

Ndërsa në vëmendje të këtij edicioni do të jetë kinematografia amerikane, me 3 filma të vëllezërve Coen.

Gjatë javës do të zhvillohen edhe aktivitete të shumta, ndërsa risia e këtij edicioni është “Prishtina Rendezvous”, aktivitet ky që u mundëson producentëve shitjen e filmave përmes takimeve me 10 kompani shpërndarëse që do të sjellë “PriFilmFest”.

Festivali u hap nga yjet e filmit “Shok”, që për herë të parë çuan Kosovën në “Oscar”, dhe do të zgjasë deri më 29 prill. Ndër partnerët mediatikë të festivalit janë edhe Top Channel e Digitalb.

Top Channel