Minxhozi: Berisha flirton gjithnjë me provokimet, sulmin dhe gjuhën e ashpër

21/04/2016 00:00

Për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi.

TCH: A ishte kjo thirrje e Berishës, në fakt, një propozim i arsyeshëm në këtë vorbull të madhe diskutimesh?

Skënder Minxhozi: Besoj se kjo gjithçka mund të konsiderohet, përveçse si e arsyeshme. Berisha e di edhe vet që sot ka bërë një provokim jashtë rreshtave, dikush i tha në sallë se kishte kaluar sërish vijën e kuqe, me të cilën ne njerëzit e thjeshtë duhet të nënkuptojmë ligjin, Kushtetutën dhe kodet që e mbajnë në këmbë Republikën, sistemin dhe shtetin ku jetojmë. Nëse i referohesh lloj-lloj piketave, siç mediet kanë bërë sot duke iu referuar nenit 222 të Kodit Penal, rezulton se sipas tij apele të tilla për armatosje të civilëve, popullatës përbën një shkelje që dënohet penalisht. Besoj se ka qenë një lëvizje jo thjesht emocionale, siç e quajti dikush. Berisha gjithmonë ka qenë një politikan që ka flirtuar me provokimet, me sulmin dhe gjuhën e ashpër. Nuk është kursyer kurrë në terma ndaj kundërshtarëve të tij dhe, në momentet kur atij dhe Lulzim Bashës u takon të menaxhojnë një opozitë që ndihet e dobët, pa objekt dhe pa një program të qartë, sikurse pa perspektivë, besoj se improvizimi dhe aktet e forta të herëpashershme mund të jenë taktika që përdoret për t’i dhënë pulsin një trupi që realisht pulsin e ka të dobët. Apeli i sotëm është i rrezikshëm në një ambient civil dhe apeli i fundit që dikush mund të bëjë publikisht. Mund të apelohet mosbindje civile, protesta, zgjedhje të parakohshme, siç i parashikon dhe i lejon rendi demokratik, por të ftosh për të marrë armët është instanca e fundit që duhet kursyer nga çdo politikan i përgjegjshëm.

TCH: Dje ambasadori Lu u duk optimist se, pas prangosjes së Shullazit nuk do kishte më pengesa politike për Reformën në Drejtësi. Megjithatë, pas thirrjes së Berishës sot në Parlament, a mund të thuhet e njëjta gjë?

Skënder Minxhozi: Ambasadori ka të drejtë në një aspekt, që të shpresojë për rezultat në një mjedis ku logjika e shëndoshë funksionon dhe njerëzit e ndjekin këtë logjikë në bërjen e gjërave. Mjafton të shohim sesi sot, kapja dhe jo lirimi i Shullazit (unë do ta kuptoja po të ishte lirimi i Shullazit nga burgu sot, që Parlamenti të kishte atë lloj klime që pati), arrestimi i tij të përjetohej dhe të krijonte një klimë kaq të ndezur sikur të ishte liruar në mënyrë abuzive, tregon se këtu gjërat ecin kokëposhtë dhe në rend të zhdrejtë, pa logjikë. Dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin kanë qenë shumë shpesh entuziastë këto muaj, duke bërë entuziastë edhe një turmë të madhe njerëzish, që besojnë vërtet se kjo reformë është një mundësi e madhe për të mos u humbur. Por me këto ulje-ngritje dhe këtë debat që u konsumua sot, u pa qartë që një pjese të Parlamentit nuk i intereson avancimi i reformës. I interesojnë më shumë raste si “Panama Papers”, Shullazi apo çdo ngjarje tjetër diversive, që përdoren gjithmonë për t’u vënë si “shkopinj nën rrota”. Kjo zhbën çdo lloj shprese racionale, sikurse shpresat e ndërkombëtarëve, që në një afat të caktuar ne të shohim të miratuar reformën. Megjithëse do të thoja se presioni pozitiv për ta pasur atë, besoj se në fund fare do të jetë më i madh, sesa presioni negativ për ta penguar atë.

TCH: Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm pas kësaj deklarate të Berishës. A mendoni se kjo kërkesë do t’i merret në konsideratë?

Skënder Minxhozi: Kam frikë se ngjarje të tilla shkojnë e gjejnë njëra-tjetrën nëpër sirtaret e Prokurorisë, pa u kthyer në një ngjarje. Kujtoj ngjarjet te Liqeni, kur u bë nami për armën e një deputeti që u vu në dyshim nëse ishte apo jo e tillë, pastaj vijnë këto deklarata e pasohet nga diçka tjetër. Këto janë ngjarje që testojnë apo tregojnë dobësinë e sistemit, paaftësinë e sistemit për të reaguar ndaj situatave të tilla antiligjore, që në kushte të tjera natyrisht që do të kishin një qasje tjetër nga organet e shtetit.

Top Channel