Kosovë, delegacion franko-gjerman për vizat dhe integrimin

21/04/2016 00:00

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, bashkë me Sekretarin francez të Shtetit për Çështjet e Europës, Harlem Desir, kanë nisur një vizitë të përbashkët në Prishtinë për të takuar krerët më të lartë të shtetit.

Në takimet e veçanta me Presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Isa Mustafa, zyrtarët e lartë gjerman dhe francez u shprehën se, vizita e këtij delegacioni të lartë në rajon ka për qëllim të tregojë se Gjermania dhe Franca vazhdojnë të punojnë së bashku, që t’i tregojnë Ballkanit Perëndimor se nuk do të lihet mënjanë. Ata kanë vlerësuar përparimet e Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi u ka premtuar dy zyrtarëve se, Kosova do të vazhdojë dialogun e brendshëm mes të gjitha palëve, por edhe dialogun e jashtëm me Serbinë dhe me fqinjët, sikurse edhe me partnerët e tjerë. “Kosova do t’i respektojë angazhimet ndërkombëtare dhe presim që vendi ynë të vlerësohet për këtë. Pas MSA-së, hapi i natyrshëm është liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Të premten, dy ministrat europianë do të takojnë edhe ministrin e Integrimit Europian, Bekim Çollaku, si dhe do të mbajnë një konferencë për të prezantuar qëndrimin e dy prej vendeve kryesore të BE-së, për rrugën e Kosovës drejt integrimeve dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Mësohet se, zyrtari i lartë gjerman dhe ai francez priten të njoftojnë ministrin kosovar të Integrimeve lidhur me penalizmin që mund të marrë Kosova, në rast shpërdorimi pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.

Top Channel