Kadare në Pejë për Shkrelin

21/04/2016 00:00

Ismail Kadare do të jetë i ftuari i nderit në Festivalin e 14 të Letrave Shqipe, që do të zhvillohet në Pejë, për nder të poetit Azem Shkreli. Adhurimi i shkrimtarit për poetin është një arsye e mjaftueshme që ai të udhëtojë drejt Pejës më 21 maj.

Në një takim të zhvilluar në Tiranë, organizatorët ndajnë detajet.

“Jemi shumë të gëzuar që Kadare ka vendosur që të jetë i pranishëm sivjet. Ne sapo na u konfirmua dhe kjo na gëzon shumë. Do të ketë poetë të tjerë nga e gjithë bota, por padyshim që takimin e madhështon Kadare”, thotë Engelbert Zefaj, drejtor në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Pejës.

Ismail Kadare në qëndrimin e tij dyditor do të marë pjesë në ndarjen e çmimit “Bulëzat”, dhe “Azem Shkreli”, do të vizitojë objekte kulturore si dhe do të takohet me ministrin e Kulturës, Kujtim Shala.

“Kadare pikëpamjet e tij, jo vetëm për letërsinë, për shtetin, popullin dhe kombin janë të admirueshme për kosovarët. Ka të tjerë që kanë mendime të kundërta, por ajo që dominon është që kosovarët e duan atë që thotë Kadare”, shton Zefaj.

Poezitë e Azem Shkrelit janë përkthyer në shumë gjuhë, si dhe kanë shënuar  njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe.

Top Channel