Basha: Rama dhe Tahiri po sabotojnë hetimet për Shullazin

20/04/2016 00:00

Partia Demokratike përshëndeti vendimin e gjykatës për masën e arrestit me burg për Emiljano Shullazin, por duke inkurajuar prokurorët dhe gjyqtarët, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se procesi është në rrezik.

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi, por janë edhe në këmbë për të ndalur, për të sabotuar këtë hetim dhe po bëjnë gjithçka që Shullazi të mos thotë ato që di për këta të dy”, deklaroi Basha.

Basha, i cili tha se opozita do të monitorojë nga afër çështjen “Shullazi”, theksoi se, duhet përmbushur një kusht që hetimi të mos pengohet.

“Përsërisim thirrjen tonë për largimin një orë e më parë të Saimir Shullazit, të Saimir Tahirit, një njeriu që njihet botërisht për lidhjen e tij me Saimir Shullazin, Emiljano Shullazin. Çdo masë do të jetë e paplotë përsa kohë krimi do të ketë ambasador dhe protektor ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Me Edi Ramën nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, nuk mund të ketë shtet ligjor, por largimi i Saimir Tahirit është parakusht për ecurinë normale të procesit të Shullazit”, tha Basha.

Tek çështja e Emiljano Shullazit, Partia Demokratike ka vendosur shpresën e saj se ky proces do të zbulojë ato që opozita i quan “të vërtetat e mëdha të bashkëqeverisjes me krimin”.

“Pyetje dhe fakte tronditëse presim të dalin në dritë edhe në kuadër të hetimeve dhe procesit në fjalë. Fakte dhe pyetje tronditëse do t’u drejtohen protagonistëve nga opozita, duke filluar që nëser”, paralajmëroi Basha.

Top Channel