PD, Vokshi: Epidemi korrupsioni në shëndetësi

19/04/2016 13:50

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka denoncuar sërish këtë të martë korrupsionin në shëndetësi, duke e cilësuar atë si epideminë më të rrezikshme që ka përfshirë këtë sektor.

“Epidemia më e rrezikshme sot në vend është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqaj i kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka”, ka deklaruar Vokshi.

Sipas saj, “fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë dhe ministri Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre”.

“Në spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputeteve të PD të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm dhe nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet t’i marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë”, ka thënë Vokshi.

Top Channel