Drejtësia, marrëveshje PS-PD për kontrollin e gjykatësve

15/04/2016 00:00

Rinisja e dialogut politik për reformën në drejtësi ka shënuar një tjetër kompromis të rëndësishëm. Palët kanë rënë dakord për mënyrën sesi do të funksionojë kontrolli i pasurisë, integritetit dhe aftësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mbetet për t’u zgjidhur përfundimisht formula e përbërjes së komisionit vlerësues dhe nëse reforma në drejtësi do të miratohet, puna e tij do të ketë efekte të shpejta dhe të dukshme.

“Sapo të nisë nga puna komisioni i vetingut, qytetarët kanë mundësi të shohin kush janë gjyqtarët e korruptuar, të paaftë dhe të kapur që duhet të largohen nga sistemi”, deklaroi deputeti Eduart Halimi.

Kjo, bashkë me Prokurorinë Speciale dhe Byronë e Hetimit janë çështje për të cilat është gjetur konsensus dhe që opozita i cilëson si paketa antikorrupsion.

Por ka ende mosdakordësi, sepse opozita sheh tek disa institucione të reja të gjyqësorit elementë të kapjes politike dhe të mosllogaridhënies.

“Ka mosdakordësi që kanë të bëjnë me pjesën e intitucioneve të reja që do të ndërtohen, që kanë të bëjnë me emërimin, promovimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve”, saktësoi Halimi.

Palët do të jenë në bisedime në distancë, por Fatmir Xhafaj, i cili është i kënaqur që po punohet mbi projektin e mbështetur nga qeveria, tregon se deri ku shkon toleranca.

“Mbi këtë shtrat, mbi këtë projekt shumë të mirë që kemi, ne jemi në gjendje që të arrijmë në një konsensus që nuk cënon thelbin e projektit”, deklaroi Xhafaj.

Rinisja e dialogut mes palëve është mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, Ambasada Amerikane dhe delegacioni europian u bëri thirrje partive politike të mbështesin reformën në drejtësi duke e çuar drejt përfundimit e pa vonesa apo pengesa. Deklarata vë në dukje se, “të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”.

Top Channel