Panariti: Reciprocitet me Maqedoninë. Produktet tona, sipas standardeve të BE-së

14/04/2016 00:00

Lufta e brendshme politike, që po zhvillohet në Maqedoni duke përdorur edhe perimet shqiptare, mund të çojë në masa të ngjashme reciproke edhe nga pala shqiptare.

“Unë jam frenuar deri më tani për të marrë masa simetrike, sepse është gjëja më e kollajshme që ne të ulim traun edhe për tranzitin maqedonas, por nuk është kjo fryma e bashkëpunimit”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.

Por sa të sigurta janë prodhimet shqiptare? Dy vite më parë, ministri i Bujqësisë i shpjegoi personelit të laboratorit në Lushnje sesi mund të kryejnë një analizë të thjeshtë, që zbulon kimikatet në prodhimet bujqësore. Megjithatë, pavarësisht ekzistencës së laboratorëve rajonalë, në vend kemi vetëm një laborator të certifikuar ndërkombëtarisht për kryerjen e analizave.

“Gjesti im ishte një gjest simbolik për të treguar që analizat bëhen edhe në laboratorë me metoda të thjeshta. Nisur nga fakti që distanca Lushnje-Tiranë është një orë dhe ISUV ka kapacitete, u pa e arsyeshme që mostrat të shkojnë në ISUV për një orë, pa qenë e nevojshme që të mbingarkohet laboratori, që aktualisht ka funksion kryesisht monitorimi të periudhave të spërkatjes. Për dy-tri orë mbarojnë analizat dhe del rezultati. Për rastet pozitive, kur kërkohet një tjetër konfirmim, mund të kërkohen teknika më të sofistikuara që kërkojnë më shumë kohë”, tha më tej Edmond Panariti.

Ministri Panariti thotë se, ISUV kryen analiza për 12 klasa ndotësish gjithsej, me rreth 100 analiza secila, që nga kimikatet, metalet, toksinat bakteriale apo stimulantë të ndryshëm.

Top Channel