Arti dhe dizajni i filmit shqiptar prezantohet për herë të parë në një ekspozitë unike në Galerinë Kombëtare të Arteve. Mbi 100 afishe të përzgjedhura nga koleksioni i pasur i Arkivës së Filmit na çojnë pas në kohë, në vitet e komunizmit, atëherë kur nuk kishte rrjete sociale e televizione në masë, e kur afishja ishte e vetmja mënyrë për të lajmëruar ardhjen e një filmi të ri.

“Publiku duhet të kuptojë që këto postera janë shumë të dashur jo vetëm për ne, për kohën në të cilën kemi jetuar ne, por mbeten edhe sot vepra të kuruara që na bëjnë të kuptojmë se, në atë kohë çdo poster ishte një gong për filmin që pritej të vinte”, tha Elvira Diamanti, drejtoreshë e Arkivës Qendrore të Filmit.

Kineasti shqiptaro-amerikan, Thomas Logoreci thotë se është befasuar jo pak, teksa bënte përzgjedhjen e posterave.

“Kur i pashë posterat në fillim u mrekullova. Kam parë shumë filma shqiptarë, posterat e të cilëve nuk i kisha parë më parë. Ne nuk e dimë se cili është posteri i filmit ‘Gjeneral gramafoni’ apo ‘Taulanti kërkon një motër’. Kur pashë këto afishe mendova që janë po aq të mirë sa ato të filmave botërore. Është art i vërtetë dhe posterat shqiptare prezantojnë një formë arti, të cilën uroj që e gjithë bota të ketë mundësi ta shohë këtë punë të jashtëzakonshme që kanë bërë piktorët shqiptarë”, tha Thomas Logoreci, kurator i ekspozitës dhe kineast.

Ekspozita e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në fund të muajit maj.

Top Channel