Ngrohja globale, Europa e rrezikuar nga epidemitë deri më sot të rralla

13/04/2016 00:00

Europa po bëhet gjithmonë e më e ngrohtë dhe me rritjen e temperaturës mesatare, sipas ekspertëve shtohet edhe rreziku i epidemive, që gjeografikisht na duken sot të largëta e të pagjasa.

Një studim i universitetit suedez të Umeas, i publikuar nga “EbioMedicine”, del në përfundimin se kontinenti i vjetër duhet të bëjë llogaritë me një klimë shumë më të ndryshme, e për pasojë edhe me kërcënimet, që mund të përbëjnë luhatje të tilla për shëndetin.

Mbështetur në një seri skenaresh potenciale të mutacioneve klimatike, të cilat fatkeqësisht më shumë janë pesimiste sa i takon pasojave të efektit serë, autorët e studimit thonë se temperaturat e zbutura dhe ndryshimet e klimës, të nisura prej kohësh, do të kenë një impakt jo të vogël, sidomos në përhapjen e etheve tropikale.

Mushkonja “tigër”, apo “Aedes aegypti”, një insekt tropikal dhe bartës i kësaj sëmundjeje do të arrijë – sipas tyre, – t’i përshtatet më mirë Europës. Si ajo, edhe mushkonja “tigër” aziatike janë të destinuara të kthehen në një prani fikse për kontinentin e vjetër, shpjegon një nga autorët e kërkimit, Jing Liu-Helmersson.

Një përqëndrim i lartë i tyre është verifikuar tashmë në Rusi e Gjeorgji, – vazhdon ai, – ndërsa së fundi, mushkonja “tigër” është shtyrë deri në Holandë. Ngrohja e klimës, përveçse i bën të përshtatshme për këto insekte edhe territore të konsideruara deri vonë si “imune”, u rrit njëkohësisht aftësinë e përcjelljes së sëmundjes: viruset riprodhohen me shpejtësi më të madhe, ndërsa i nxehti vet i shtyn mushkonjat të pickojnë më shumë.

Rreziku i kanoset edhe vendeve të Europës Lindore, deri më tani të paprekura nga të tilla kërcënime sanitare, por më i ngutshëm, problemi duket se do të jetë në Europën e Jugut.

Top Channel