Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar nga trupa e prokurorëve që të zbatojnë parimin e proporcionalitetit në kërkesat drejtuar gjykatës për aplikimin e masave të sigurisë “arrest në burg”. Në përfundim të analizave vjetore, si edhe duke reflektuar shqetësimin e Ministrisë së Drejtësisë për mbipopullimin e ambienteve të paraburgimit, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka miratuar një qarkore në të cilën kërkohet nga prokurorët që të jenë të kujdesshëm në aplikimin e masave ekstreme të sigurisë.

Po ashtu, në qarkore Llalla kërkon edhe rritjen e numrit të hetimeve kryesisht me iniciativë të prokurorit, si edhe të shtohet numri i rasteve të gjykimit të drejtëpërdrejtë.

Numri i lartë i personave në ambientet e paraburgimit vijon të krijojë një situatë shqetësuese, e cila i është përcjellë prokurorisë edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve rezulton se në sistemin e burgjeve, për periudhën Janar – Dhjetor 2015, janë trajtuar 2962 të paraburgosur.

Top Channel