Enigma e rrëzimit të EC145, pjesë të helikopterit shumë larg bregut të liqenit

10/04/2016 19:30

Helikopteri ushtarak i rrëzuar të mërkurën në ujërat e Liqenit të Shkodrës është nxjerrë gjatë ditës së diel. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli menjëherë pas këtij operacion përmes një statusi në “Facebook” u shpreh se ka angazhim maksimal për të hetuar deri ne fund shkaqet.

Një ditë më parë polumbarët morën nga trupi i helikopterit edhe kamerën regjistruese, e cila ruan të gjitha komunikimet dhe veprimet e pilotëve. Por, dyshimet për rrëzimin e helikopterit  EC145, ku humbën jetën dy pilotë, mbeten ende të forta.

Rreth 300 metra larg vendit të rrëzimit, përgjatë vijës së fluturimit Top Channel ka zbuluar mbetje nga trupi i helikopterit. Pamjet e marra nga operatori i Top Channel  tregojnë copa te veshjes së jashtme të helikopterit, pjesë të kufjeve të pilotëve, tela të aparaturave si dhe një pjesë e radarit të EC145.

Ende nuk dihet se si kanë përfunduar në atë vend, përpara se helikopteri të rrëzohej në ujë. A janë shkëputur ato përpara se helikopteri të rrezohej, apo nga forca e përplasjes në ujë, veshja e jashtme është shpërndarë në një sipërfaqe më të madhe?  Dhe a ndodhen këto pajisje përgjatë itinerarit të fluturimit të helikopterit?

Megjithëse kanë kaluar disa ditë nga rrëzimi, nuk ishte vënë re ekzistenca e këtyre pjesëve të helikopterit kaq larg liqenit. Menjëherë pas konstatimit të Top Channel , grupi hetimor ka rrethuar dhe këtë zonë, e cila gjendet larg vendit të rrëzimit të helikopterit dhe ka nisur administrimin e këtyre pjesëve, të cilat gjendeshin aty që prej së mërkurës.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura, përmes një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se pas nxjerrjes së “kamerës regjistruese” nga ana e ekspertëve, ajo i është vënë në dispozicion Prokurorisë, e cila po heton këtë ngjarje. Por, kjo deklaratë ishte bërë përpara se të gjendeshin pjesët e tjera të helikopterit . Dhe ndoshta ky fakt mund të zgjerojë tablonë e hetimit për shkaqet e rënies së helikopterit ushtarak.   

FOTO GALERI
1/7

Top Channel