Arrestimi i vëllait të ish ministrit?! Taulant Alibeaj: Nuk jam ndaluar asnjëherë

09/04/2016 15:14

Burime të policisë së shtetit njoftuan në rrugë jo zyrtare se vëllai i ish ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në datën 6 prill është arrestuar nga policia gjermane në qytetin Hamm, pas një vjedhjeje të kryer me armë.

Sipas këtyre burimeve, shtetasi Taulant Alibeaj ka paraqitur një kartë identiteti shqiptare dhe një të policisë ku është prezantuar edhe si inspektor i policisë kriminale.

Policia shqiptare thotë se kolegët gjermanë ju kanë referuar të dhenat se Taulant Alibeaj nuk njihet në sistemin gjerman por është regjistruar në zyrën e Rotenburgut, në bazë të të dhënave të sistemit për të huajt si Xhavit Mornica.

Por i pyetur nga Top Channel, Taulant Alibeaj tha se jo vetëm nuk është arrestuar ndonjëherë, por as ndaluar e shoqëruar nga policia.

“Nuk jam shoqëruar asnjëherë nga ndonjë lloj policie. Përveç në 2013, kur kam qënë në polici që më hoqën pa të drejtë nga puna në polici. Në 2013 i kam dorëzuar të gjitha me kartë policie, me pistoletë, unë jam regjistruar me asnjë lloj identiteti tjeter, quhem Taulant Alibeaj, lindur me 2 gusht 1977”, ka thënë ai për Top Channel.

Në rrjetin social ka reaguar edhe ish ministri i Drejtësisë e po ashtu shef i zyrës së sigurisë e rendit pranë PD, Enkelejd Alibeaj, i cili e konsideroi njoftimin e policisë si të gënjeshtërt që shpërndahet për t’i mbyllur gojën opozitës.

Top Channel