
Gjatë mesditës së sotme një grup zhytësish të RENEA-s kanë bërë disa kërkime në ujrat e Liqenit të Shkodrës, në zonën përeth vendit ku dy ditë më parë ra helikopteri i Forcave të Armatosura.
Kërkimet janë bërë me qëllim gjetjen e pjesëve të ndryshme që mund të shërbejnë si prova materiale gjatë hetimeve.
Burime konfidenciale pohuan se sot është nxjerrë një sedilje e pilotit dhe pjesa prej llamarine e derës së helikoptertit që janë gjetur pranë vendit të ngjarjes. Ndërsa një ditë më parë u gjet dhe u sekuestrua njëra nga slitat e helikopterrit dhe një pjesë helike.
Ekspertët e kompanisë “Airbus Helicopter”, të cilët mbërritën sot në Tiranë, kanë bërë vetëm mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes, verifikimin e pjesëve të nxjerra, si dhe janë informuar nga ushtarakët shqiptarë mbi të dhënat që kishin grumbulluar.
Më pas pjesët e rekuperuara janë marrë me një kamionçinë dhe janë transportuar për në policinë e Shkodrës, si provë materiale për prokurorinë. Faza e mëtejshme e operacionit për nxjerrjen e helikopterit është ndërprerë përkohësisht për shkak të kushteve atmosferike.
Mësohet se për nxjerrjen e objektit dhe rekuperimin e kutisë së zezë, që do të zbardhë se çfarë ndodhi të mërkurën, do ndërhyjnë zhytësit e Marinës së Vlorës, të cilët mendohet se do ta nxjrrrin duke i vendosur jastëqe ajri. Ky proces mund të kryhet gjatë së shtunës, ose të dielën, në vartësi të kushteve atmosferike.
Top Channel