Referendumi socialist, Blushi: Trukim; Balla: Demokratizim

08/04/2016 18:20

Një ditë përpara mbajtjes së referendumit ku baza socialiste do të vendosë për legjitimitetin e mandatit të kryetarit të PS, deputeti Ben Blushi lëshoi akuza të forta për trukim.

“Edhe këtu në Dibër, sot më thanë se kutitë janë mbushur që mbrëmë. Kutitë e referendumit janë mbushur që një javë përpara. Në asnjë zyrë të PS ku nesër teorikisht duhet të votohet nuk janë varur listat e zgjedhësve dhe sa veta do të votojnë. Akoma më e rëndë, sot në Dibër më thanë që socialistëve u thuhet mos votoni, ish-demokratëve apo anëtarëve të PD u thonë hajdeni votoni për referendumin. Kush po ia jep këtë mandat Edi Ramës, demokratët apo socialistët?”, u shpreh Blushi.

Ndërsa Taulant Balla, drejtues politik i Rajonit Elbasan-Korçë, mesazhin për socilistët e kësaj zone e dha nga një prej qendrave të votimit ku pas tij qëndronin listat e votimit për të cilat Blushi thotë se nuk janë varur.

“Ky referendum është një shprehje se PS, si e vetmja forcë udhëheqëse në këtë vend, ka transferuar pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes nga institucionet drejtuese tek anëtari i thjeshtë. Ky është një hap i madh për të gjithë shoqërinë shqiptare, sepse duke u demokratizuar partitë politike demokratizohet edhe shoqëria shqiptare”, tha Balla.

Më herët gjatë ditës, replika të ngjashme u regjistruan por në gjininë femërore, mes Lindita Nikollës dhe mbështetëses së Blushit, deputetes Mimoza Hafizi.

Top Channel