Qeveria mbron “guaskat”, MEI: TCH dhe Reuters spekuluan me informacionin

08/04/2016 19:45

Qeveria nuk merr përgjegjësi përpara faktit të zbuluar nga Top Channel që një kompani offshore ka marrë në shfrytëzim bllokun numër 8 të naftës në veri-lindje të vendit.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Energjitikës thotë se marrëveshja është lidhur sipas ligjeve në fuqi. Ministria deklaron se të dhënat e materialit të Top Channel të grumbulluara nga agjencitë prestigjoze Reuters dhe Bloomberg jane spekulime.

Një prej fakteve ishte se një nga katër kompanitë e përfshira në skemën e koklavitur të konçesionit të bllokut ishte e regjistruar si offshore në ishujt Virgin. Por ministria hoqi duart nga përgjegjësitë.

“Sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, nuk parashikohet asnjë kufizim përsa i përket vendndodhjes së aksionerëve të shoqërive me të cilat nënshkruhen marrëveshje hidrokarbure, apo bëhet transferimi i aksioneve nga një subjekt tek tjetri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, ministria zbulon se në bllokun numër 8 do të bëhet një investim prej 5.3 milionë dollarësh, në një zonë që konsiderohet e varfër nga pasuritë hidrokarbure.

“Të gjithë inxhinierët e naftës, që janë të gjeofizikës apo kërkim-zbulimit do të jenë në unision kur do të thonë se, në bllokun 8 nuk ka asnjë të dhënë apo informacion për kërkim nafte”, deklaroi përfaqësuesja ligjore e kompanisë, Arta Danaj, për emisionin “Top Story”.

Por sa të afta dhe sa siguri japin kompanitë offshore që marrin liçenca ekskluzive për rritjen e efiçencës së asetit publik të marrin në përdorim për periudha të gjata?

“Kur kemi kaq shit-blerje kemi të bëjmë me investitorë seriozë. Institucionet përgjegjëse për finalizimin e kësaj kontrate duhet të kenë parasysh atë parim bazë të çuarjes në efiçencë të aseteve që po administrohen”, deklaroi shefja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati.

“Kjo është një pikë nisje për qeveritë që të veprojnë për të vlerësuar dhe më pas adresuar çështjet ligjore dhe ato të sistemin bankar për të minimizuar ose reduktuar krijimin këtyre llogarive offshore, të cilat ashtu si po shohim kanë ndodhur shpesh kudo në botë”, tha ndërkohë më herët Taseen Sayed, drejtoreshë e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Top Channel