Basha pret deputetët gjermanë: Programi i PD, i hartuar me CDU-në

08/04/2016 17:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti këtë të premte në një takim deputetët e Parlamentit gjerman, përfaqësues të partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Weiss, Andreas Lämmel dhe Peter Beyer.

Gjatë takimit, Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që CDU po i jep Partisë Demokratike në hartimin e programit elektoral dhe betejën e saj për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike dhe shtetin ligjor.

Hartimi i programit, theksoi zoti Basha, është paraprirë nga konsultimet intensive me qytetarët në të gjithë vendin, grupe interesi, me ekspertët më të mirë në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe me mbështetjen e ekspertëve të CDU dhe PPE.

Partia Demokratike ka shpallur alternativën e saj qeverisëse për një ekonomi që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët, citohet të ketë thënë Basha gjatë takimit.

Sipas njoftimit, kreu i opozitës pasqyroi detajet e programit të PD, që parashikojnë taksat më të ulëta në rajon, përmirësimin e klimës së biznesit, investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen financiare për bujqësinë, në mënyrë që vendi të bëhet tërheqës për investime të huaja që hapin vende pune.

“Programi i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me qytetarët dhe grupet e interesit, në mënyrë që produkti final të jetë një program i zbatueshëm që siguron zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët dhe jo siç ka ndodhur me të ashtuquajturën “Rilindje”, që erdhi me një program të mbushur me mashtrime dhe prodhoi një ekonomi në krizë të thellë dhe një shoqëri në depresion”, deklaroi Basha.

Top Channel