Rama, vizitë në Prishtinë. Takohet me Mustafën, Veselin dhe krerët e opozitës

07/04/2016 14:55

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa priti këtë të enjte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Prishtinë. Pas takimit, ku u diskutua për mbledhjet e ardhshme të dy qeverive, kryeministri Rama vlerësoi se takimet e përbashkëta kanë dhënë rezultate konkrete.

“Mjafton të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm sesa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë, ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Bashkëpunimin me Shqipërinë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e vlerësoi me interes të veçantë.

“Do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve me interes të përbashkët për t’u zhvilluar. Ne vlerësojmë se, bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Kosovë për ceremoninë e Presidentit Thaçi, u takua edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli, udhëheqësit e opozitës, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjatë takimit të fundit, Ahmeti konfirmoi se, përveç rekomandimeve dhe kritikave miqësore nga kryeministri Rama, u diskutua edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel