“Panama Papers”, në listën e zezë edhe Diveroli

07/04/2016 11:15

Në mesin e miliona dokumenteve të “Mossack Fonseca” të rëna në duart e shtypit, duke i dhënë udhë kështu një skandali të përmasave gjigande që nuk kurseu liderë botërorë, personalitete, apo edhe njerez të botës së krimit, rezulton sipas të përditshmes amerikane “Miami Herald” edhe emri i një personi mjaft i njohur në Shqipëri, Efraim Diverolit.

Bëhet fjalë per personazhin e tragjedisë së Gërdecit që përfitoi një kontratë të majme parash nga Pentagoni dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan.

Gazeta shpjegon në artikullin e saj lidhjen mes Diverolit, kompanisë së tij AEY, një trafikanti zviceran dhe një firme offshore në Qipro. Është fjala për një tjetër aktor të dramës, shkruan ajo, një qipriot me emrin Charalambos “Pambos” Fellas, emri i të cilit shfaqet në dokumentet e përftuara nga “Miami Helard” si dhe konsorciumi i gazetarëve ndërkombëtarë.

Fellas, drejtuesi i një kompanie të quajtur “Edvin Ltd” që furnizonte dealer-ët e Majemit, rezulton të jetë drejtuesi i caktuar i 30 kompanive offshore të ngritura nga “Mossack Fonseca” nga viti 2002 deri në 2007-n.

Të gjitha kompanitë ishin të bazuara në ishujt Seychelles, një parajsë fiskale pranë oqeanit Indian. Nuk ka të dhëna që “Edvin Ltd” ta ketë krijuar “Mossack Fonseca”, por roli i Fellas në skandal ilustron mënyrën sesi pronësitë anonime të kompanive mund të çojnë drejt shkeljeve të ndryshme.

Pronari i vërtetë i kompanisë ishte një trafikant zviceran armësh, Heinrich Thomet, i vendosur në listën e zezë të qeverisë amerikane për personat e dyshuar si kontrabandistë armësh. Thomet, thotë gazeta, e perdori “Edvin Ltd” për të shitur armë dhe me Diverolin ishte takuar në një panair armësh në Las Vegas, ku janë përfshirë mesa duket në lojën e kontrabandës.

“Herald” pretendon se kontrata që fituan dy të rinjtë Diveroli dhe partneri i tij David Packouz me Pentagonin, përmes firmës së tyre AEY, erdhi falë ndihmës së zvicerianit Thomet dhe kompanisë së tij në Qipro. 

Top Channel