Hetimet për aksidentin, Eurocopter ofron asistencë për ekspertizën

07/04/2016 15:05

Eurocopter, kompania që ka prodhuar helikopterin e rrëzuar të mërkurën në Shqipëri, do të ofrojë asistencë dhe ndihmë në hetimin e ngjarjes, nëse kjo do t’i kërkohet nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Kështu deklaroi për Top Channel shefi i zyrës së shtypit të “Airbus Helicopter”, Guillaume Steuer.

“‘Airbus Helicopter’ është në dijeni të aksidentit tragjik të një helikopteri H145. ‘Airbus Helicopter’ është i pikëlluar thellë nga ky aksident dhe zyrtarët e kompanisë shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për familjet, miqtë dhe kolegët e atyre që humbën jetën. Kompania është e gatshme për të mbështetur plotësisht autoritetet në hetimin e shkakut të aksidentit”, ka deklaruar Seuer.

Në vendin e aksidentit qëndrojnë forcat e policisë, të cilat e kanë rrethuar atë, si dhe një mjet lundrues po i Policisë së Shtetit. Ende nuk është bërë e ditur se kur do nxirret nga uji helikopteri i dëmtuar rëndë nga rrëzimi.

Gjatë paradites së sotme u fol për një ulje të mundshme të këtij helikopteri në Doganën e Hanit të Hotit, paraditen e djeshme dhe transportimit të një sasie mermeri. Por helikopteri i ulur ndryshon nga helikopteri i rrëzuar, i pari është me rrota dhe i dyti me slita.

Ndërkohë që një kompani private transporti njoftoi se në orën 10 të paradites një helikopter i tyre kishte transpotuar disa persona dhe materialet e ndërtimit për një varr përkujtimor në Malësi të Madhe.

Xhevair Ajazaj, peshkatari që mori me varkë ushtarakun Gerald Baramuça, tregoi për Top Channel se, në momentin e mbërritjes pranë helikopterit kishte parë dy pilotët pa jetë të lidhur në vendet e para, jelekë shpëtimi të shpërndare dhe shumë shkumë mbi ujë, ndërsa i mbijetuari ishte 15 metra larg, duke u munduar të notonte me një dorë.

Ai tha se pasi ushtaraku i kishte thënë fjalë në gjuhë të huaj kishte kërkuar ndihmë për ta çuar në spital.

Top Channel