Bazo: Helikopteri në stërvitje rutinë. Itinerari, sipas trajektores së miratuar

06/04/2016 16:55

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Jeronim Bazo ka mbajtur këtë pasdite një konferencë shtypi lidhur me rrëzimin e helikopterit në Malësinë e Madhe.

Fillimisht, Bazo ka sqaruar se, në bordin e helikopterit tip “EC 145” ndodhej një ekuipazh prej 3 vetësh, të përbërë nga kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtari profesionist Gerald Baramuça.

“Kapiteni Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha kanë humbur jetën, ndërsa ushtari Gerald Baramuça po trajtohet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, ka deklaruar Bazo.

Gjenerali ka bërë me dije se, “Shtabi i Përgjithshëm ka angazhuar të gjitha mjetet në dispozicion për të hetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur rrëzimi i helikopterit”.

Gjithashtu, Bazo ka saktësuar se, helikopterët “EC 145” sapo janë marrë nga Forcat e Armatosura shqiptare për të shërbyer si mjete shpëtimi dhe i janë nënshtruar të gjitha kontrolleve të parashikuara.

“Ndërsa itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores së miratuar gjatë një fluturimi stërvitjeje rutinë”, ka sqaruar më tej Bazo.

Sa u takon dy pilotëve që humbën jetën, ai ka nënvizuar se, “ata ishin trajnuar brenda dhe jashtë vendit dhe kishin një eksperiencë të kënaqshme”.

Top Channel