Procesionarja dëmton pyjet në zonën turistike të Gjinarit

05/04/2016 00:00

Procesionarja, e njohur ndryshe si sëmundja e pishave, ka prekur në masë pyjet në zonën turistike të Gjinarit në Elbasan.

Ajo është përhapur me shpejtësi, asnjë pemë nuk ka mbetur e paprekur. Procesionarja e dëmton pishën në mënyrë të parikthyeshme nëse nuk ndërhyhet në kohë duke shkaktuar tharjen e plotë të saj.

Në këtë zonë nevojitet një ndërhyrje urgjente pasi me këtë ritëm, në Gjinarin turistik, shumë shpejt nuk do të kemi më pyje me pisha.

Procesionarja luftohet në mënyrë mekanike, duke i mbledhur insektet, sa ende janë në boçen e tyre dhe më pas digjen. Për 20 vite me radhë një aksion i tillë nuk është ndërmarrë. Specialistët thonë së procesionarja ka aftësi shumimi të jashtëzakonshme.

“Duhet luftuar në sipërfaqe të mëdha, pasi flutura mund të zhvendoset në një hapësirë 10 deri në 15 kilometra dhe mund ta prek sërish zonën e pastruar. Luftimi i saj është mjaft i vështirë.

Në Mars të vitit 2015 Ministria e Mjedisit nisi punën për luftimin e procesionares në 6400 hektare pyje me pisha në vend. Ky aksion përfshiu edhe zonën e Gjinarit në Elbasan, por siç duket rezultati nuk është ai që pritej.

Top Channel