Dekriminalizimi, rrëzohet propozimi i opozitës për ndryshim

05/04/2016 19:50

Opozita braktisi Komisionin e Ligjeve kur socialistët rrëzuan propozimin që pezullonte ushtrimin e mandatit të deputetit të arrestuar në flagrancë për krime kundër jetës, përfshirë edhe plagosjen. Një akuzë që rëndon aktualisht mbi deputetin Armando Prenga.

Socialistët i bënë disa ndryshime të tjera ligjit pa kuorumin e duhur të deputetëve, por përpara se demokratët të largoheshin, ata debatuan gati tre orë me socialistët, të cilët mbrojtën tezën se ndryshimet janë antikushtetuese. Por jo vetëm këto ndryshime.

“Në rast se nuk i riparojmë, ligji mund të dëmtohet dhe nuk do të zbatohet në realitet. Ose do të përbëjë shkak që ligji të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Unë kërkoj ndjesë publike, që megjithëse isha anëtare e komisionit “ad hoc” lejova që të punohet me nxitim për të gjetur negociata”, tha socialistja Vasilika Hysi.

Demokratët u kërkuan disa herë socialistëve të punojnë së bashku për të rregulluar çdo defekt që ata e quajnë teknik. Madje u përdorën edhe fjalët e Edi Ramës në ftesën për Lulzim Bashën.
 
“Ne jemi gati. Po ju, a jeni gati?”, pyeti Bylykbashi.
 
Socialistët thonë se janë gati për një reformë tjetër, aktualisht të bllokuar. Majko u shpreh: “Të miratojmë reformën në drejtësi, të tjerat janë lodra“.

Thënia e ditës

“Mos na dalë ndonjë emër nga Panamaja dhe do na sillni prapë ndonjë nen tjetër te ky ligji”
(Pandeli Majko)

Top Channel