Marrëveshja për fluturimet, Haxhinasto: Strategjike

04/04/2016 00:00

Javën e kaluar Ministria e Transporteve dhe kompania koncesionare që administron aeroportin e Rinasit njoftuan arritjen e marrëveshjes, që ministri Haxhinasto e vlerësoi si historike; heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve.

Në këmbim të heqjes së ekskluzivitetit dhe hapjes fillimisht të aeroportit të Kukësit apo aeroporteve të tjera që mund të ndërtohen në vendin tonë, kompanisë iu zgjat kontrata koncesionare me 2 vite.

Qeveria mbron marrëveshjen, ndërsa opozita hedh dyshime mbi efektet e saj. Për të folur mbi këto dy qëndrime, të ftuar në Top Story-n e kësaj të hëne ishte ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.

“Është një marrëveshje e mirë sepse u përdor një parim shumë themelor, që shtyrja e koncesionti të ishte e tillë sa mund të ishte ndikimi i hapjes së tregut, hapjes së aeroportit të ri. Ne krijojmë një ndikim të drejtpërdrejtë tek kostot dhe një trend për uljen e çmimeve”, tha Haxhinasto.

Por opozita shprehet skeptike mbi marrëveshjen dhe efektet që do të mbërrijnë prej saj, madje deputeti Shehu hodhi dyshime për mungesën e transparencës.

“Ministri duhet t’u kishte treguar qytetarëve para firmosjes së marrëveshjes se çfarë humbasim dhe çfarë përfitojmë. Nuk dimë asgjë se çfarë ka bërë ministri me koncesionarin. E qartë është se edhe nëse do të ketë ulje kostosh, duhet konsideruar që qeveria ka bërë një pazar me koncesionarin sepse i ka zgjatur me dy vite kontratën dhe ka një kosto që do ta paguajë shtetit ose qytetarët indirekt, jo përmes tarifave aeroportuale. Do t’i shtoj kësaj edhe arsyen tjetër që jam shumë skeptik, fenomeni i ri që po dynden kinezët. Unë paragjykoj që pranimi nga ana e koncesionarëve është bërë edhe me arsyetimin e tyre për një ofertë për t’u blerë nga kinezët. Kjo është një arsye pse ata kanë pranuar. Kemi një prezencë të dyshimtë sepse po zëvendësohen investitorë seriozë perëndimorë me disa kinezë”, tha Shehu.

Ministri Haxhinasto konfirmoi se ka një interesim nga një kompani kineze për blerjen e koncesionarit të aeroportit, madje tha se ishte takuar ta.

“Kinezët janë një kompani ndërkombëtare serioze dhe kanë investime të mëdha në SHBA. Jam takuar me ta dhe kishin një përqasje krejt tjetër për infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Ata, në prani të përfaqësuesve të koncesionarit aktual të Rinasit u shprehën që ta bëjmë marrëveshjen dhe të ngremë edhe segmentin low cost në Rinas”, tha ai.

Ministri tha gjithashtu se është bërë një vlerësim mes humbjeve nga zgjatja e kontratës koncesionare dhe të ardhurat që mund të përfitohen nga vënia në punë e aeroportit të Kukësit, apo një aeroporti tjetër që mund të hapet në të ardhmen dhe se është ndjekur parimi strategjik.

“Kemi vlerësuar sa të ardhura do të nxjerrë edhe aeroporti i Kukësit, potencialin e aeroporteve të tjerë dhe kemi dalë në një përfundim qëjo vetëm për përfitime dhe humbje, por edhe strategjike. Shumë vepra janë bërë për përqasje strategjike në Shqipëri. Rruga e Kombit është bërë me një përqasje të tillë”, tha ai.

Haxhinasto tha se që gjatë kohës kur zhvilloheshin bisedimet me koncesionarin e Rinasit, ka patur interesim nga kompani serioze për të administruar aeroportin e Kukësit.

Ministri Haxhinasto dhe deputeti Shehu debatuan edhe për rrugët.

Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se nuk ka prioritet infrastrukturën, ndërsa cilësoi edhe të gabuar përpjekjen e Ministrisë së Transporteve për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit.

“Ka shumë motive pse nuk ka përfunduar rruga e Elbasanit. Është edhe mosrespektim kontratës, kostot e punimeve dhe këtu qeveria ka bërë presion negativ ndaj kompanisë. Koncesioni i Rrugës së Kombit nuk jepet sot. Ajo është një rrugë që në gjithë analizën e saj nuk mbulon kostot. Ajo e arrin të mbulojë këto kosto kur të kthehet në një aks rajonal. Në këto kushte koncesioni do të jetë një mekanizëm për të kompensuar kostot. Kjo qeveri nuk e ka prioritet infrastrukturën”, tha ai.

Ministri Haxhinasto kundërshtoi duke deklaruar se përpjekje për ta dhënë me koncesion këtë rrugë ka patur edhe gjatë qeverisë së Partisë Demokratike.

Në pjesën e fundit të Top Story, Sherefedin Shehu akuzoi qeverinë se ka rritur me 50 përqind shpenzimet administrative. Ai tha se qeveria me rishikimet e buxhetit në 2015 hoqi paratë nga projektet infrastrukturore për shpenzimet administrative.

“60 mln dollarë shpenzohen për rikonstruksione zyrash dhe janë edhe shumë projekte të tjera për rikonstruksione godinash”, thotë Shehu.

Top Channel