Lulzim Basha, mesazh me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit në NATO

04/04/2016 16:40

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me rastin e 67-vjetorit të themelimit të NATO-s dhe 7-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë aleancë, u ka dërguar shqiptarëve dhe aleatëve të vendit tonë një mesazh.

“Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, deshiroj të uroj mbarë shqiptaret për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA mirënjohjen më të thellë të mbarë shqiptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit. Si kryetar i PD-së shpreh krenarinë legjitime që në 8 vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO (prill 2009), dhe me përmbushjen e angazhimeve teknike të antërarësimit (shtator 2013)”, lexohet në mesazhin e Bashës.

Më tej, Basha kritikon qeverinë aktuale: “Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin por edhe angazhimin tim se do te bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese; arrogancën e paprecedentë politike; mungesën e konsensusit; shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtje; uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA, dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO-s – ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudo reformat e dështuara në këtë fushë. Është për të ardhur keq që standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tre vite veçanërisht në fushën e mbrojtjes, ku jo vetëm kemi rënie të buxhetit nga 2 përqind që është kërkesë e Aleancës në 0.87 % të GDP, por ku paratë e shqiptarëve shpërdorohen në mënyrë skandaloze për luks zyrash, apo vidhen me tendera të korruptuar, siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit”.

”Politizimi, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste kanë sjellë si rezultat rënie të gatishmërisë së forcave tona të armatosura, trafikun me avionë të drogës, rikthimin e skafeve dhe cënimin e sigurisë kombëtare”, shtoi Basha.

Top Channel