7 vjet nga anëtarësimi në NATO, Kodheli: Arritje madhore

04/04/2016 10:25

Në 4 prill të vitit 2009 shteti shqiptar realizoi një nga arritjet më të mëdha në politikën e tij të jashtme, duke u bërë pjesë e NATO-s, e përbërë në atë kohë nga 26 shtete anëtare, bashkësi të cilës në këtë datë, iu afrua edhe Shqipëria me Kroacinë.

7 vite nga ajo datë, Shqipëria gëzon një status tjetër, teksa ndodhet më afër unionit europian. Zyrtarë të lartë të vendit dhe përfaqësues të aleatëve tanë morën pjesë në ceremoninë e 7-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku vlerësuan lart produktet dhe efektet e anëtarësisë në këtë organizatë.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, deklaroi: “Ne bashkohemi kur vjen puna te aspiratat euroatlantike të vendit tonë”.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi: “Duke marrë, në fjalët e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, rolin e kujdestarit për vendet e rajonit që aspirojnë drejt integrimit euroatlantik”.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi: “Mbështetja masive që populli shqiptar i ka dhënë anëtarësimit në NATO tregon themelin mbi të cilin ne kemi ngritur të gjithë përpjekjen tonë politike”.

Për një shtet me të drejta të plota të NATO-s si Shqipëria sot, sipas drejtorit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, Ardian Bali, vlen thirrja që të rinjtë të afrohen më shumë me FA-në: “Është një nga profesionet më të bukura”.

Së shpejti, në Tiranë do të zhvillohet Ministeriali i NATO-s me ministrat e Mbrojtjes të të gjithë vendeve anëtare të saj.

Top Channel