25-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Lu dhe Bushati me të rinjtë

04/04/2016 11:55

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 25 vite më parë, është cilësuar si një moment tejet i rëndësishëm për rrugën që do të merrte Shqipëria më pas.

Kështu është shprehur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në prani të dhjetra studentëve të ekselencës dhe të ambasadorit Donald Lu.

“Janë aleatët tanë kryesorë në rrugën e anëtarësimit në BE, pavarësisht se SHBA nuk është anëtare e BE-së, por reformat për të cilat na mbështesin përkon me rrugën tonë të integrimit”, tha Bushati.

Nga ana e tij, ambasadori Donald Lu u shpreh se është bërë shumë në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shpreson se do të bëhet akoma më shumë edhe në 25 vitet e ardhshme.

E i ndodhur mes të rinjve, ambasadori Lu nuk kurseu edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për ta: “Shpresoj që disa prej jush do të futen në shërbimin publik si policë, gjykatës, madje edhe politikanë”.

Por, tema e drejtësisë ka qenë dhe kryefjala e bashkëbisedimit pa praninë e medias mes ambasadorit Lu, ministrit Bushati dhe të rinjve. Burime nga takimi bënë të ditur për Top Channel se Lu theksoi faktin që amerikanët e kanë në fokus reformën në drejtësi dhe se ecuria e saj është jetike për vendin.‎ Të njëjtat burime i thanë Top Channel se këtë herë fjala e ambasadorit Donald Lu, është fokusuar tek prokurorët.

Ambasasori Lu ka vënë theksin tek fakti që ashtu si gjyqtarët edhe prokurorët duhet të kalojnë procesin e vetingut dhe bërjen transparente të të ardhurave të tyre.

Top Channel