Rruga e lumit të Vlorës, Rama: Impakt direkt tek zhvillimi ekonomik

01/04/2016 16:55

Kryeministri Edi Rama e quajti atë që njihet si “Rruga e Lumit të Vlorës” një aks shpirtëror dhe historik, me rëndësi jo vetëm për Vlorën. Gjatë një dëgjesë publike u parashtrua projekti që i paraprin ndërtimit të parashikuar të nisë në vjeshtë.

Me këtë rrugë, tha kryeminisri, po merremi tani pasi u desh të paguheshin borxhet e kompanive të ndërtimit, sikurse përfundimin e rrugëve të trashëguara pa përfunduar nga qeveria e shkuar.

“Pra, bëhet fjalë për një rrugë 100 km absolutisht të re, që do t’i japë Vlorës një zonë të re turistike dhe një hapësirë të re zhvillimi, në funksion të turizimit dhe pa dyshim të bujqësisë e blegtorisë”, tha Rama.

Kryeministri, njëherazi deputet i Vlorës, për projektin e tij të preferuar, Lungo Maren, kërkoi përfundimin në kohë. “Po ecën me ritme më të mira, por jo aq sa duhet të ecë. Gjithësesi shpresoj që kompania të arrijë objektivin që ne i kem i vënë për të pasur një situatë krejt tjetër në sezon”, u shpreh Rama.

Për atë që kryeministri e quajti “një paketë ambicioze investimesh në Vlorë” parashikohet edhe faza e tretë rehabilituese e portit, me qëllim ankorimin e anijeve turistike dhe tregtare të tonazhit të rëndë.

Top Channel