Zgjedhjet në universitete, nis gara për rektorë dhe dekanë

31/03/2016 19:45

Në 20 prill zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të univeristeteve. Është mbyllur tashmë zyrtarisht regjistrimi dhe verifikimi i dosjeve të kandidatëve që janë pjesë e garës për postin e rektorit.

Kandidatët të cilët synojnë këtë post kanë filluar të zhvillojnë takime me profesorët e universiteteve përkatëse për të shpalosur platformat e tyre.

Në Univeristetin e Tiranës janë në garë dy kanditatë: Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Mynyr Koni, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në garë për rektor në Universitetin Politeknik janë tre kandidatë, të cilët aktualisht janë dekanë të tre fakulteteve në këtë univeristet.

Konkretisht garojnë ndërmjet tyre dekani i Fakultetit të Urbanistikës dhe Arkitekturës, dekani Fakultetit të Gjeologji Minierave, i cili ka qenë më parë rektor në këtë univeristet dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë.

Më e fortë pritet të jete gara në Universitetin e Mjekësisë, ku kandidojnë për postin e rektorit: dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakaçolli; rektori i emëruar aktualisht, Arben Gjata; dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Petrit Bara.

Në Unversitetin e Arteve garojnë tre kandidatë, mes të cilëve edhe ish-rektori Kastriot Çaushi. Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, nuk voton administrata e fakulteteve por fituesi zgjidhet me votat e profesorëve dhe studentëve.

Ndërsa kandidatët për dekanë dhe shefa departamentesh kanë afat deri javën që vjen për t’u regjistruar.

Top Channel