Projektet për Ballkanin Perëndimor, nis sesioni i dytë i Ministerialit në Durrës

31/03/2016 08:45

Takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor ka nisur punimet në ditën e tij të dytë në qytetin e Durrësit.

Në përfundim të tryezës së përbashkët, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në orët e pasdites, Bushati do të rikthehet në Tiranë për të zhvilluar një takim pune me ministrin e Jashtëm çek, Lubomir Zaoralek.

Temë diskutimi në këtë takim të kryediplomatëve të rajonit do të diskutohen projektet rajonale sidomos ato në infrastrukturë dhe në energji.

Këtu përfshihet ajo që njihet si “Autostrada e Kaltër”, projekt që nis në Kroaci, vijon në Bosnje, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke lidhur gjithë bregdetin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu do të diskutohet edhe për projektin tjetër madhor po në infrastrukturë, ai Nish-Prishtinë-Durrës. Një tjetër që ndodhet në tryezë është edhe projekti i intekonjeksionit Shqipëri-Maqedoni.

Veç Ditmir Bushatit dhe Komisionerit Hahn, të pranishëm në këtë ministerial janë Petrit Selimi, ministri në detyre i Punëve të Jashtme të Kosovës, sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme serbe, Roksanda Nincic, Igor Luksic, zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Crnadak, ministër i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës, Nikola Popovski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Zaoralek, ministër i Jashtëm i Çekisë, Vincenzo Amendola, nën/sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme të Italisë, Goran Svilanovic, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe ministri i Jashtëm norvegjez, Borge Brende.

Top Channel