Gjykata e posaçme antikorrupsion, gjykatësit kundër

30/03/2016 15:30

Gjykata e Krimeve të Rënda e konsideron të panevojshëm ngritjen e një gjykate të posaçme antikorrupsion për sa kohë gjykimi i zyrtarëve është edhe me paketën aktuale ligjore nën kompetencë të saj.

Duke i cilësuar konfuze parashikimet e projekt amendamentit që shkrin dhe pushon funksionimin e kësaj gjykate, gjyqtarët ngritën shqetësimin se çfarë do të ndodhë me proceset nën gjykim.

Në një situatë që e përshkruan si të paqartë gjyqtarët e pyetën përfaqësuesin e qeverisë Ylli Manjani.

“A nuk do të ishte e nevojshme që mos të ndryshojë emri? A nuk do të ishte e nevojshëm që e njëjta gjykatë që është, sepse ne i gjykojmë, ne kemi kompetenca edhe aktualisht të shtohet edhe ajo që flitet për zyrtarë që gjykon Gjykata e Lartë”, tha Sandër Simoni.

“Emrin e diskutojmë por tunë them se kështu fillon kjo punë, me Gjykatën e Krimeve të Rënda”, u përgjigj ministri Manjani.

“Trupa gjyqësore e këtyre gjykatave jo vetëm që nuk duhet cënuar, po duhet trajtuar me përparësi”, u shpreh Fehmi Petku, kryetar i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Kryegjyqtari i Krimeve të Rënda Simoni kujtoi se gjyqtarët janë të demoralizuar, aq më tepër që kanë nën shqyrtim dosje të forta

“Krijon idenë dhe një impakt negativ në lidhje me disa gjykata që për më tepër se 12 vjet kanë gjykuar çështje të vështira, organizata kriminale, banda të armatosura, grupe të strukturuara kriminale, terroristë”, tha Simoni.

Por ministri i Drejtësisë e shikon problemin tjetër kund. Për këtë kujtoi pushimin e gjykimit për gjyqtaret që hetohen për fshejhe pasurie.

“Nuk presim që ti kontrollojmë gjyqtarët dhe prokurorët nga pasaporta se sa viza kanë. Këtë enklavë jurisprudence pozitive që e keni krijuar deri më sot, mund ta përdorim dhe për të shkatërruar frymën e korporatizmit në gjyqësor”, tha Manjani.

Top Channel