Procesi Beqaj-Basha, ministri: Kreu i PD të vijë në gjykatë

29/03/2016 10:40

Në procesin gjyqësor që ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka hapur kundër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për shpifje, përfaqësuesi ligjor i Bashës i kërkoi gjykatës që të pushonte çështjen, pasi kjo padi është gjykuar një herë nga kjo gjykatë dhe se kundër këtij vendimi ka një ankimim në Gjykatën e Apelit, në pritje për t’u shqyrtuar.

Por paditësi Ilir Beqaj kishte një tjetër qëndrim në lidhje me çëshjtjen. “Lulzim Basha vazhdon të bishtnojë me procedura këtë proces. E ka bërë prej vitesh këtë gjë, më ka akuzuar publikisht dhe i bëj thirrje të vijë në proces, ose përfaqësuesi i tij të përballet me faktet. Basha po përpiqet të zvarrisë procesin”, deklaroi Beqaj.

Gjykata ka shtyrë seancën për t’u shprehur me vendim për pushimin e çështjes më datën 11 prill. Padia e Beqajt ka të bëjë me një deklaratë të nëntorit të vitit të kaluar të kryedemokratit Basha, që kishte të bënte me një tender prej 31 milionë eurosh të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili sipas kryetarit të opozitës i është dhënë ish-firmës së ministrit dhe personave të tjerë të lidhur me pushtetarët. 

Top Channel