Prokuroria e Përgjithshme, kërkesë Kuvendit të rishikojë ligjin për armëmbajtje pa leje

27/03/2016 12:20

Kryeprokurori i vendit Adriatik Llalla i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe ministrit të Drejtësisë për rishikimin dhe ndryshimin e disa paragrafeve të nenit 278 të Kodit Penal, që parashikojnë armëmbajtjen.

Ky nen vitin që kaloi parashikoi disa ndryshime, ku më kryesorja ishte ashpërsimi i masës së dënimit për këtë vepër penale deri në 15 vite burgim. Por Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa dënime të rënda për armëmbajtje, duke krijuar një konfuzion në zbatimin e këtij ligji në praktikë. Ky konfuzion është materializuar edhe në disa vendime gjykatash, të cilat kanë qenë të kundërta në masat e dënimit edhe pse për të njëjtën vepër penale, atë të armëmbajtjes.

Pra, disa të akuzuar kanë marrë masa të rënda dënimi, ndërsa disa të tjerë jo, ndërsa nuk kanë munguar as rastet e lirimit të personave të kapur me armë pa leje. Ky fakt ka shkaktuar edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili i është drejtuar Presidentit të Republikës dhe ministrit të Drejtësisë që të rishikonin vendimet e dhëna nga gjykatat. Por, mesa duket, zbatimi në praktikë i nenit për armëmbajtje, në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, lë shteg për interpretime juridike dhe krijon konfuzion.

Për këtë arsye, kryeprokurori Llalla i kërkon Kuvendit, qeverisë dhe ministrit të Drejtësisë të rishikohen paragrafët 1 dhe 2 të nenit për armëmbajtje pa leje dhe në mënyrë të veçantë të rishikohet masa e dënimit e përcaktuar deri në 15 vite, pasi kjo masë dënimi, sipas prokurorisë, tejkalon edhe masën e dënimit të parashikuar për krime të rënda që mund të kryhen me armë pa leje.

Ndërhyrja në këto paragrafë dhe korrigjimi i masës së dënimit, sipas prokurorisë, do të shmangte çdo keqinterpretim në zbatimin e këtij neni në praktikë.

Top Channel