Arqipeshkvia e Shkodrës është shndërruar në kryeqendrën e pritjes së disa personaliteteve që uruan Pashkët katolike, të cilat janë të parat që kremtohen pa Monsinjor Rrok Mirditën.

Presidenti Bujar Nishani ishte njëri prej tyre. Nishani e nderoi katolicizmin shqiptar edhe si një nga kontribuesit e mëdhenj të identitetit kombëtar dhe gjeti rastin të promovojë vlerat e lirisë dhe besimit.

“Duhet të na frymëzojë që të gjithëve për të mos lëshuar asnjë moment angazhimin tonë përsa i takon ruajtjes së dimensionit të lirisë dhe vlerave të njerëzimit dhe integritetit të tij”, u shpreh Nishani.

Presidentit iu kërkua nga gazetarët të japë edhe një mesazh për politikanët. Dhe ai zgjodhi t’u kërkojë atyre të kalojnë nga fjalët tek veprat, për të kthyer besimin tek qytetarët: “Të rikthejmë besimin se ky vend, jo vetëm që i ka të gjitha potencialet, por me punën dhe përgjegjësinë e gjithësecilit do të bëhet shumë më mirë”.

Në festa të tilla janë të zakonshme pamjet e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, kur përfaqësuesit e besimeve të ndryshme urojnë njëri-tjetrin, por në Shkodër, kjo Pashkë bëri bashkë, si asnjëherë më parë, dy demokratë: Lulzim Bashën me Jozefina Topallin. Dhe pak katekizëm i përzier me politikë, i ka shërbyer më shumë Lulzim Bashës.
 
“Jozefina tha që ekziston edhe katoliku anonim. Unë i thashë jo, sepse katoliku dhe demokrati duhet ta shpallin që janë, ndryshe nuk quhet. Më dha të drejtë pastaj”, tha Basha duke qeshur.

Lulzim Basha dhe Jozefina Topalli e kryen së bashku urimin për arqipeshkvin Angelo Massafra dhe të gjithë katolikët e Shqipërisë.

Ndërsa më herët, kreu i opozitës mori pjesë në meshën e mëngjesit në Katedralen e Lezhës, nga ku dha një mesazh besimi dhe shprese për kategoritë më të pamundura të shoqërisë.

“Dua t’u drejtohem në veçanti të papunëve, të rinjve, atyre që kanë hedhur sytë e dëshpërimit nga emigracioni, të sëmurëve dhe familjarëve të tyre: “Kini shpresë, kini besim! Kjo ditë e ringjalljes së shpresës le të shërbejë për të na bashkuar të gjithëve në vlerat themelore që e bëjnë një shoqëri të fortë e të përparuar, besimi në Zot, besimi në Atdhe, besimi në familje, besimi tek njëri-tjetri”.

Top Channel