Dibër, banorët sërish në protestë kunder HEC-eve

26/03/2016 19:10

Banorët e Maqellarës dhe të fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-it të Katundit të Ri dhe Skavicës kanë protestuar këtë të shtunë në Urën e Topojanit, në aksin Peshkopi-Bulqizë.

Djetëra banorë u mblodhën pikërisht në një nga zonat e cila përmbytet nga liqeni për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe për të theksuar se tokën do t’ua trashëgojnë fëmijëve, sikurse ua kanë lënë të parët.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë kompromis dhe askush nuk do të mund të bëjë pazare me pronat tona”, tha një prej banorëve. Ata akuzuan qeverinë se ka bërë afera me kompani të huaja në dëm të Dibrës, dibranëve dhe Shqipërisë.

Ata thanë se, këto projekte nuk do të lejohen pasi, përveç se do të kenë ndikim social tek banorët do të ketë edhe ndikim mjedisor, duke prishur ekuilibrat klimaterikë.

“Qeveria po vepron fshehurazi dhe po përçan Dibrën, duke iu vënë përpara qytetarëve HEC-in e Katundit të Ri, pas të cilit do të nxjerrë atë të Skavicës, projektin e të cilit po e mban fshehur”, tha një tjetër.

Për të sensibilizuar mbarë opinionin protestuesit bllokuan njërin krah të rrugës Peshkopi-Tiranë për disa çaste dhe paralajmëruan se protestat e tyre nuk do të ndalen deri në tërheqjen e qeverisë dhe kompanisë turke, me të cilën sipas tyre ekzekutivi ka bërë marrëveshje.

Top Channel