Zjarr në Belsh, shkrumbohet shtëpia; bashkia pa zjarrfikëse

24/03/2016 11:15

Një banesë në qytetin e Belshit është përfshirë nga flakët mëngjesin e së martës, duke marrë dëme të shumta materiale. Fatmirësisht asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk është lënduar.

Policia bën me dije se zjarri ka rënë për shkak të ndezjes së një bombule gazi. Është dashur ndërhyrja e banorëve me mjete rrethanore për të bërë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat rrezikonin të përfshinin edhe një kopësht fëmijësh.

Megjithë përpjekjen për të mbërritur në kohë, zjarrfikëses së Elbasanit i janë dashur rreth 50 minuta për të arritur deri në Belsh, duke marrë parasysh largësinë dhe rrugën, e cila është në ndërtim e sipër.

Zjarri i rënë sot në këtë qytet vë sërish në dukje nevojën urgjente për krijimin e Shërbimit Zjarrfikës në çdo bashki. Reforma administrativo-territoriale detyron çdo bashki që deri në qershor të vitit 2017 të pajiset me shërbimin në fjalë.

Por deri atëherë këto territore do të mbulohen nga shërbimi më i afërt. Në qarkun e Elbasanit nuk kanë repart zjarrfikëse bashkitë Prrenjas, Belsh dhe Cërrik, të cilat shprehen se me fondet e tyre e kanë të pamundur krijimin e këtij reparti dhe presin financime.

Afrimi i stinës së nxehtë shtron përpara një situatë që kërkon masa të menjëhershme.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel