Xhamia fiton betejën, Gjykata: Shoqëria civile s’mund të ankohet për mjedisin

24/03/2016 09:40

Gjykata Administrative rrëzoi padinë e shoqerisë civile, e cila për tre vjet me radhë kundërshtoi një vendim të Këshillit Kombëtar të territorit për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Në verdiktin e shpallur me dyer të mbyllura, gjykata deklaroi se instituti i çështjeve kombëtare nuk legjitimohet si palë e dëmtuar  për sa kohë e drejta publikut për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit has në barriera ligjore.

Kjo pasi grupet e interesit mund të ankohen në gjykatë vetëm për të shfuqizuar një ligj apo akt që cënon interesin publik, por nuk mund të kërkojnë shfuqizimin e një akti administrativ individual  që cenon çështjet e mjedisit, sikurse dëmtimi i lulishtes pranë Parlamentit.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile u shprehen për Top Channel se ka një praktikë të Gjykatës Kushtetuese që hyn në kontradiktë me këtë verdikt.

“Ne kemi një rast shumë të freskët, siç ka qenë kundërshtimi që i bëri shoqëria civile pastaj edhe një grup deputetët paktit detar me Greqinë, si e tillë Gjykata Kushtetuese e pranoi dhe kur e pranon kjo gjykatë nuk duhet ta pranojë një gjykatë e shkallës së parë”, shprehet Kasteriot Frashëri.

Paditësit pohojnë se do ta apelojnë vendimin.

Gjyqi për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë zgjati tre vjet, së pari nisi në Gjykatën e Civile e më pas u kalua për kompetencë në Gjykatën Administrative.

Ndërsa, beteja gjyqësore mes shoqërisë civile dhe këshillin kombëtar të territorit vijonte, lulishtja e debatuar është kthyer në një kantier ndërtimi.

Top Channel