Skandali i Shkodrës, Klosi e Ademi raportojnë në komision

24/03/2016 14:05

Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi ka raportuar këtë të martë në Kuvend për çështjet e të miturve jetimë dhe qendrat strehimore.

Në fjalën e tij, Klosi ka deklaruar se fëmijët jetimë duhet të rriten pranë familjeve kujdestare, të cilat duhet të paguhen nga shteti.

“Do mbajmë një takim urgjent me kryetarët e bashkive ku ka qendra sociale. Duhet që pushteti vendor të gjejë familjet që të mbajnë këta fëmijë”, ka thënë Klosi.

Raportimi i ministrit ka ardhur pas zbulimit të skandalit në jetimoren e Shkodrës, ku vajza të mitura ishin bërë pre e abuzimeve seksuale.

E pranishme në këtë seancë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka deklaruar se bëhet fjalë për ngjarje të verifikuara si pasojë e një sistemi të paaftë për të reaguar.

“Janë ngjarje shumë të rënda dhe nuk janë raste sporadike, por pjesë e një sistemi që nuk funksionon. Hetimi mund të vijojë, por kësaj çështjeje duhet t’i shkohet deri në fund”, ka deklaruar Ademi.

Kryetarja e bashkisë së qarkut verior ka shtuar më tej se, “qendrat rezidenciale janë modeli më i keq i ofrimit të shërbimit për fëmijët me probleme”.

Top Channel