Prokuroria: Një vit burg për Tafajin. Akreditoi universitetin privat kundër ligjit

24/03/2016 00:00

Me akuzën e shpërdorimit të detyrës, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të ish-ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, dhe dënimin e tij me një vit burgim.

Në mbyllje të një gjyqi që zgjati 6 muaj, prokurori Madrid Kullolli tha gjatë pretencës se, ish-ministri ka injoruar vendimin e Këshillit të Akreditimit për moshapjen e 8 programeve në universitetin privat “Vitrina”.

Në kohën kur ky këshill i ka konsideruar negative kriteret e depozituara për të miratuar programet për vitin akademik 2010-2011, ministri ka urdhëruar hapjen e tyre, tha prokurori. Prokuroria konsideroi shkelje edhe faktin se, ndërkohë në këtë universitet, regjistrimet për këto degë ishin kryer një vit më parë, pra në 2009-n.

Por ndërsa e cilësoi si një veprim të paligjshëm të kryer nga ish-ministri, që i ka sjellë përfitime subjektit privat, nga ana tjetër, përfaqësuesi i akuzës nënvizoi se Tafaj e ka kryer këtë veprim nën kushtet e një presioni të fortë.

Për këtë shpjegim, prokurori nuk solli asnjë provë në Gjykatën e Lartë. Sipas akuzës, përmes shpërdorimit të detyrës, Tafaj u ka shkaktuar 1.869 studentëve një dëm ekonomik prej gati një milion eurosh.

Prokurori shtoi se, në shpalljen e vendimit, kolegji duhet të mbajë parasysh si rrethanë lehtësuese, faktin që ish-ministri është akademik dhe, nga ana tjetër, abuzimin me funksionin si rrethanë rënduese.

Në këtë pikë, gjyqtari Artan Broci ironizoi me prokurorin, duke e pyetur se në cilin burg sugjeronte Prokuroria ta vuante dënimin i pandehuri, dhe ai iu përgjigj: “në një burg të sigurisë së zakonshme”.

Avokatja, nga ana e saj, kërkoi shpalljen të pafajshëm të ish-ministrit, aktualisht deputet i Parlamentit, me arsyetimin se fakti nuk ekziston, pasi të gjithë studentët që kishin ndjekur degët e pamiratuara nga Këshilli i Akreditimit kishin kaluar për studime të mëtejshme në universitetet shtetërore.

Gjykata u tërhoq për vendim, të cilin do ta shpallë në datën 14 prill.

Top Channel