I ati i të akuzuarit për terrorizëm në Top Story: Ja e vërteta

24/03/2016 22:30

I ati i Verdi Moravas, njëri prej të ndaluarve nga autoritetet shqiptare me akuzën e rekrutimit të personave për qëllime terrorizmit në Siri, mohoi akuzat e prokurorisë, duke deklaruar se djali i tij nuk ka lidhje me radikalizmin.

Duke folur në Top Story-n e kësaj të enjteje me gazetarin Sokol Balla, Dielli Morava rrëfeu marrëdhënien me të birin, besimin e tij dhe procesin gjyqësor. Fillimisht ai tha se djali i tij është arrestuar gabimisht.

“Djali im u ndodh rastësisht aty, sepse ka qenë me banim afër xhamisë. Nuk e kemi si traditë në familjen tonë që besimin ta kemi patur të ushtruar. Arrestimi i djalit tim që u quajt bashkëpunëtor ishte plotësisht i padrejtë dhe i pabazuar në logjikën dhe arsyen juridike. Procesi është një proces skandaloz me shkelje të rënda në procedurë dhe ç’është më e çuditshmja është se nuk ka asnjë organizim si grup”, tha Dielli Morava.

Ai deklaroi se cilësimi si grup i personave të ndaluar me akuzat e mësipërme, i intereson dikujt, por që nuk ishte në gjendje ta thoshte emrin.
 
“Kujt i interesoi që ta quajë grup? Dikujt i interesonte ta bënte këtë. Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka bërë detyrën që duhej të kishte bërë. Që të arrestosh një njeri duhet të kesh një dosje”, deklaroi ai.

Zoti Morava rrëfeu edhe momentin kur i biri nisi të praktikonte besimin dhe këmbënguli se djali i tij nuk ka shfaqur dhe nuk ka asnjë prirje radikalizmi.
 
“Pati një shqetësim nervor, një depresion dhe gjeti ngushëllim tek feja. Deri në atë moment nuk kishte asnjë lidhje me fenë. Edhe kur u bë, nuk ka dhënë asnjë shenjë radikalizmi dhe kjo u tregua edhe në procesin gjyqësor ku folën 11 dëshmitarë, ku shumica ishin ortodoksë, doli edhe një klerik prift që tha se djali im nuk ka sesi të mbjellë përçarje përderisa takoheshin shpesh. Nuk ka shfaqur asnjëherë asnjë fare ekstremizmi”, u shpreh ai.

Pasi përjashtoi nga akuza të birin, Dielli Morava tha se në grupin që po hetohet, mund të ketë elementë radikalë.

“Aty ka individë të veçantë që janë radikalë, por nuk mund t’u them terroristë. Radikalizmi nuk është pjesë e terrorizmit, por premisë për terrorizëm”, u shpreh ai.

Prokuroria akuzon Verdi Moravën se ka përcjellë drejt Sirisë një person. Por e vërteta, sipas babait të tij, qëndron ndryshe.

“Djali im ka përcjellë një 73-vjeçar në Rinas, por jo në Siri. Në Rinas 73-vjeçari është takuar me dy persona të tjerë, që janë takuar aty për herë të parë dhe të fundit me djalin tim. Vetë djali im më tha më pas se 73-vjeçari i kishte thënë që po udhëtonte për në Turqi, jo në Siri”, rrefeu Dielli Morava.

Procesi gjyqësor ndaj imamëve të vetëshpallur, ku bën pjesë edhe Verdi Morava, është në vazhdim. Javën e ardhshme prokuroria pritet të bëjë publike pretencën e saj.

Top Channel