Tahiri: Nuk jemi imunë ndaj terrorizmit. Nishani të dekretojë ligjin e kamerave

23/03/2016 10:55

Prej mëngjesit të së martës, pas sulmeve terroriste në Bruksel, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar. Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku ishte i ftuar në një seancë dëgjimore mbi krizën e refugjatëve, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se Shqipëria, ashtu si çdo vend tjetër është e rrezikuar nga terrorizmi, ndonëse nuk ka vend për panik.

“Është e vërtetë që jemi të rrezikuar po aq sa ç’janë edhe vendet e tjera nga terrorizmi. Për sa kohë kemi qenë në gjendje të eksportojmë luftëtarë të huaj, sigurisht që kjo është një situatë, në të cilën rreziku mund të na kthehet mbrapsht. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë vend për panik”, ka thënë ministri Tahiri.

Në përgjigje të interesimit të mediave për masat, pas ngjarjeve në Belgjikë, Tahiri i bëri apel Presidentit Nishani të mos ndikohet nga zërat për mosdekretimin e ligjin “për masat shtesë të sigurisë publike”, që parashikon vendosjen e kamerave në mjedise publike e private.

“Ai është një ligj për të cilin po i bëhet thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë. Unë dua të shfrytëzoj rastin për të ngritur edhe njëherë nivelin e vetëdijes dhe ndërgjegjes institucionale mbi të gjitha, por edhe shoqërore, për të kuptuar se për të qenë më të sigurtë na duhet të lëshojmë pak nga liria jonë, qoftë edhe nga privatësia jonë po të doni”, deklaroi Saimir Tahiri.

Sa i përket një fluksi të mundshëm të emigrantëve, ministri Tahiri tha se, Shqipëria është e përgatitur për çdo skenar emergjent, edhe pse kapacitetet e saj janë të kufizuara.

Top Channel